Njoftim për shtyp

Me ftesë të Projektit të Bashkimit Evropian EU4LEA, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit znj. Aida Hajnaj, ka zhvilluar në Romë një vizitë tri-ditore trajnimi me agjencitë më të njohura ligjzbatuese të Italisë, përkatësisht në Drejtorinë Hetimore Antimafia, Departamentin kundër Krimit Kibernetik të Policisë së Shtetit Italian, Njësinë Speciale të Policisë Monetare “Guardia di Finanza” dhe Grupin e Operacioneve Speciale të Armës Karabinieri (ROS).

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër dhe vendosja e urave të drejtpërdrejta të bashkëpunimit midis BKH-së dhe agjencive kompetente italiane për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendin fqinj.

Drejtuesit e të gjitha agjencive me të cilët u zhvilluan takime, ofruan mbështetje maksimale për të shkëmbyer eksperiencat më të mira me qëllim ngritjen dhe konsolidimin e strukturës së BKH-së, bazuar në modelet më të mira të suksesit, vendosjen e bashkëpunimit institucional midis strukturave, si në shkëmbimin e informacionit policor ashtu edhe në operacionet dhe hetimet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një rëndësi të veçantë mori edhe mundësia e angazhimit të BKH -së në platformat më të reja të shkëmbimit të informacionit, në nivel evropian, për të luftuar dhe goditur grupet kriminale me shtrirje ndërkombëtare.

Në takimin përmbyllës drejtuesit e agjencive uruan që ngritja dhe fuqizimi i BKH-së të arrijë në nivelet e duhura për t’ju kundërpërgjigjur një forme shumë të sofistikuar me të cilën operojnë organizatat kriminale në ditët e sotme, forma të cilat pavarësisht kohëve dhe konteksteve në të cilat zhvillohen, kanë gjithmonë një emërues të përbashkët që është korrupsioni.