Komunikatë për Shtyp

Në datat 08-09.11.2022, është finalizuar operacioni ndërkombëtar “FRIDA-REFOX”, në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore te koordinuar nga EuroJust me seli në Hagë, Hollandë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Posacme Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar (SPAK), në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit, ekspertët e krimeve kibernetike të policisë spanjolle Guardia Civil dhe Mossos d’Esquadra dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, në Shqipëri u zhvillua operacioni ndërkombëtar i koordinuar me shtetet Bullgari, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Maqedonia e Veriut, Spanjë, Suedi dhe Ukraina.

Njësia C – Hetimi i Krimit Kibernetik në fillim të vitit 2020 ka regjistruar një procedim penal në bazë të informacioneve të marra nga shteti i Spanjës në fushën e mashtrimit kompjuterik dhe më saktësisht në lidhje me “Call Center”-at të cilat mashtronin nëpërmjet sistemeve kompjuterike, shtetas të huaj kryesisht spanjollë.

Nga viti 2021 dhe në vazhdimësi SPAK ka marrë disa letërporosi në të cilat bëhej fjalë për subjekte të cilat dyshoheshin si të përfshira në këtë aktivitet kriminal dhe se viktimat ishin shtetas europianë nga vende si Gjermania, Spanja, Finlanda, Austria etj.

Pas ekzekutimit të letërporosive, Eurojust lehtësoi bashkëpunimin gjyqësor në këtë rast duke krijuar dhe financuar një skuadër të përbashkët hetimore, e ngritur me kërkesë të autoriteteve suedeze dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Gjermaninë, Letoninë, Spanjën dhe Ukrainën.

Nga të dhënat e hetimeve të autoriteteve gjyqësore pjesmarrëse në këtë skuadër të përbashkët hetimore, tregonin për implikimin e shtetasve dhe kompanive shqipëtare. Për këtë arsye SPAK ka regjistruar procedimin penal Nr.301 të vitit 2021, për veprën penale “Mashtrim Kompjuterik” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar si vepër penale nga 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Nga hetimi i përbashkët ka rezultuar se numri i viktimave të këtij mashtrimi të madh në internet llogaritet në qindra-mijëra persona të cilët janë kryesisht shtetas të vendeve europiane.

Të dyshuarit i përkasin një rrjeti kriminal me emërtimin (OCG), që besohet të jetë i përfshirë në fushën e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet sistemeve kompjuterike duke përdorur për vjeljen e të ardhurave, kriptovalutat etj. Rrjeti kriminal përdori dhjetëra qendra telefonike (Call Center) në disa vende dhe qindra platforma në rrjet, për të kryer mashtrimet kompjuterike.

Të dyshuarit u paraqitën si ndërmjetës që do të ndihmonin investitorët të fitonin shuma të mëdha parash me investime të vogla. Në realitet grupi i strukturuar kriminal i mashtroi viktimat, duke fituar besimin e tyre në internet dhe duke ngritur profesionalisht qendra telefonike (Call Center), ose mënyra të tjera të të ashtuquajturës inxhinieri sociale. Kjo i inkurajoi viktimat të investonin nëpërmjet platformave të internetit të kontrolluara nga grupi i strukturuar kriminal, duke shkaktuar humbjen e shumave të mëdha të parave.

Për ilustrim disa nga platformat e përdorura janë: Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc, FXNobel, Cryptokartal, Centrobanc, GoldmanBank, TopTradePro, GSI-MARKETS etj.

Shkalla e hetimeve të ndjekura në këtë rast është e paprecedentë deri më tani. Sipas hetimeve, qindra mijëra investitorë në të gjithë botën kanë rënë viktima të mashtrimit. Dëmi i shkaktuar llogaritet në rreth 50 milionë euro në çdo tre muaj.

Gjatë këtyre hetimeve janë kryer trembëdhjetë takime koordinuese të mbajtura me qëllim koordinimin e hetimeve kombëtare si dhe për t’u përgatitur për ditën e veprimit. Për më tepër, Eurojust lehtësoi ekzekutimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare, urdhrave të hetimit evropian dhe letërporosive për vendet e treta.

Për të mbështetur ditën e veprimit më 8 dhe 9 nëntor 2022, Eurojust ngriti një qendër koordinimi për të mundësuar bashkëpunimin e shpejtë midis autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në këtë operacion.

Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, në Shqipëri janë kontrolluar qendrat e thirrjeve apo ambjente në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë të cilat gjatë periudhës hetimore kanë patur dhe ndryshime vendodhjesh, emërtimesh por dhe bashkime më njëra tjetrën për efekt të fshehjes nga organet ligjzbatuese.

Janë kryer 11 kontrolle qendrash thirrjeje dhe banesa,

Janë arrestuar/ndaluar 4 shtetas të dyshuar (2 nga SPAK dhe 2 në bazë të kërkimit ndërkombëtar) si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë (3 nga SPAK dhe 3 në bazë të kërkimit ndërkombëtar), si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal.

Janë sekuestruar:

  • Rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe,
  • Prova të tjera dixhitale dhe dokumente të shumta.
  • Portofole kriptovalutash ne vleren aferisht 15.000 USD dhe cash 90.000 euro,
  • Dokumente identifikimi të shtetasve lituaneze dhe gjeorgjiane, karta banke lituaneze etj.

Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjyqësore pjesmarrëse në këtë skuadër të përbashkët hetimore, bazuar në provat e sekuestruara, të cilat po analizohen, po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal,

Detajet për krijimin e skuadrës së përbashkët hetimore, si dhe rezultatet e këtij operacioni ndërkombëtar janë dhënë në një komunikatë për shtyp të Eurojust të datës 10.11.2022.