Njoftim
Mbi dërgimin për gjykim të dy procedimeve penale

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.167/2019, në ngarkim të pandehurve:

  • Gentian Malindi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si krijues, organizator dhe drejtues dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.
  • Altin Myslihaka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarrës dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
  • Adrian Bega, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarres dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Të pandehurit janë bashkëautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokaninë, të sekuestruar në 4 (katër) kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.

Hetimet e këtij janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke të drejtësisë, duke organizuar edhe dorëzimin e kontrolluar të lëndës narkotike.

Ndërkohë është ndarë procedimi penal dhe vazhdon kryerja e veprimeve hetimore edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në kryerjen e këtyre veprave penale.

 

2. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.29/6 të vitit 2019 (pjesë e procedimit penal nr.339/2016), në ngarkim të të pandehurit:

  • Fisnik Sadiku (Smaili), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal’’, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a/1, 284/c, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se me datë 18.10.2018, në fshatin Brenogë, Has, është sekuestruar sasia e lëndës narkotike prej 182.5 kg, të llojit heroinë, një laborator që shërbente për prodhimin e lëndës narkotkike, ndërsa në Prishtinë, me datë 02.12.2018, është sekuestruar sasia e lëndës narkotike të trafikuar, prej 113.5 kg e llojit heroinë.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se i pandehuri Fisnik Sadiku (Smaili) ka qenë i pjesëtar i grupit kriminal, ku për këtë fakt penal janë dërguar më parë në gjykim për të njëtat akuza bashkëpandehurit, Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj,Vehbi Berushi, shtetasi turk Iskender Sale dhe shtetasi kosovar Xhemal Shala.