NJOFTIM

Nënshkrim i Memorandumit të Mirëkuptimit me Zyrën për Luftën kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë

 

Në kuadrin e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Zyrën për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK).

Kjo marrëveshje konsiston në shkëmbimin e informacioneve dhe dokumenteve në lidhje me veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbi sistemin ligjor dhe legjislacionin në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të vendeve pjesëmarrëse, si dhe veprimtarive legjislative në lidhje me zbatimin e këtij Memorandumi, masave të veçanta të zbatimit të ligjit në fushat e juridiksionit të tyre si dhe përvojën e tyre ndërkombëtare. Ky Memorandum parashikon gjithashtu bashkëpunimin e të dy institucioneve edhe për çështje të përgjithshme ligjore mbi ndihmën e ndërsjellë juridike, veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në përputhje me instrumentet ligjore ndërkombëtare të zbatueshme në të dy vendet, si dhe vizita reciproke të ekspertëve me qëllim të përmirësimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojës më të mirë profesionale mbi çështje që lidhen me aktivitetin e tyre.