NJOFTIM: Mbi përfundimin e hetimeve në ngarkim të ish – Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për proçedimin penal Nr.65, viti 2019, në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla, me funksion ish – Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, shtetasi Adriatik Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale : “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal.

Aktualisht nga Prokuroria e Posaçme janë duke u kryer veprimet administrative për dërgimin e akteve të procedimit penal Nr.65/2019, për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.